arrow

events

Kim Mehmeti: Gjenerata aktuale nuk ka arsye tė ketė turp nga asgjė

November 19th, 2013

Kim Mehmeti: Gjenerata aktuale nuk ka arsye tė ketė turp nga asgjė

Kim Mehmeti: Gjenerata aktuale nuk ka arsye tė ketė turp nga asgjė

Shkrimtari i mirënjohur dhe shumë i vlerësuar nga kritikët e sotëm shqiptarë dhe ato ndërkombëtarë, një nga publicistët më të guximshëm dhe më të drejtpërdrejtë në mendimet e tij, z. Kim Mehmeti dha një vlerësim kritik në lidhje me diplomacinë kulturore të shqiptarëve, duke nënvizuar se “ajo tregon shenja inferioriteti, ndonëse ndoshta jo në të njëjtën trajtë dhe masë me diplomacinë politike”. I ftuar nga Klubi i Artit dhe Kulturës në Universitetin Epoka, ai zhvilloi një bashkëbisedim me studentët, gjatë të cilit shpalosi qasjet, aspektet dhe pikëpamjet e tij mbi të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e diplomacisë kulturore shqiptare. Gjatë vizitës së tij, z. Mehmeti u prit në një takim të veçantë dhe nga rektori i Universitetit Epoka, Prof. Dr. Remzi Altın.

I njohur për qëndrimet dhe vlerësimet e tij kritike, në diskutimin me studentët z. Mehmeti tha se shqiptarët për shkak të rrethanave historike, kanë qenë një popull i vogël dhe i ndarë, çka në të shumtën e rasteve e ka vështirësuar komunikimin mes tyre dhe kjo ka rezultuar një pengesë jo e vogël në përfaqësimin e tyre. “Ne nuk jemi si popujt e tjerë. Jemi një popull i ndarë dhe që nuk komunikon me njëri-tjetrin. Është e njëjtë si me atë familjen, të cilën dikush e ka ndarë dhe s’mund të mburret me të. Sado të padrejta të kenë qenë rrethanat, sado arsyetime të ketë, vetë ndarja flet për dobësi familjare”, u shpreh z. Mehmeti.

Në referatën e tij, duke iu referuar identitetit të shqiptarëve, z. Mehmeti nënvizoi se ashtu sikundër në rastin e individët të cilët kanë pasaportën e tyre, edhe kolektivitetet kanë pasaportën dhe portretin e tyre. Parë në kontekstin e ‘letërnjoftimit’ të shqiptarëve, sipas tij, elitat kulturore, shkencore, politike dhe biznesit janë një e dhënë e cila identifikon një popull. “Çfarë është individi?! Individi shpeshherë është ai që është, por që në të shumtën e rasteve jeton ashtu siç do të donte të shihnin të tjerët. Shpeshherë ne jetojmë edhe të maskuar. Unë vij këtu para jush i veshur pak më ndryshe nga përditshmëria ime, ngase dua të krijoj një përshtypje të mirë. Duhet të tregohem siç do të doja që të më shihnit ju. Nuk jam ai i vërteti që më njohin të afërmit e mi. Me këtë dua të them që edhe popujt funksionojnë në këtë mënyrë. Popujt duan të përfaqësohen ashtu siç e shohin ata vetveten. Normalisht çdonjëri prej nesh mund të thotë që shqiptarët janë më të bukurit, më të mençurit dhe më të gjindshmit. Dhe me të vërtetë të tillë janë. Por dhe kjo është e diskutueshme. Përherë ekziston një gjë; ne jemi ajo që ne mendojmë për vetveten, ajo që të tjerët thonë për ne dhe ajo që duam të jemi. Kur këto të tria gërshetohen, del në pah portreti i vërtetë. Këtë qasje duhet të kemi kur diskutojmë për diplomacinë kulturore, që do të thotë se si duhet që ne atë bukuri që kemi, atë dëshirë që kemi ndaj vetvetes, ajo se si dukemi, t’ua shesim të tjerëve dhe t’i bindim dhe ata”, u shpreh ai.

Duke qëndruar idesë se idenfikimi i vlerave dhe të veçantave, të asaj që përfaqëson me mirë një popull, Mehmeti vlerësoi si pikërisht ajo që përfaqëson më mirë një popull, bën të mundur që kjo e mirë dhe veçori të mund të përdoret për të bindur dhe të tjerët. “Të të respektojnë ndonjëherë mjafton që të kesh muskuj të fortë dhe kushdo që të thotë jam më i bukur, ia kërcet në grusht dhe ia prish bukurinë tjetrit, edhe kur ai është më i bukur se ti. Tek dikush tjetër respektohet mendja dhe duke e ditur se është më i zgjuar, përherë njeriu bën kujdes dhe nuk hyn në lëminë e tij. Popujt e vegjël përherë kanë dashur që letërnjoftimi i tyre të jetë kultura ngaqë nuk kanë mundur në forma të tjera. Me forcë e kanë patur të pamundur. Ajo që ne kemi, është kultura. Dhe kur kemi këtë kulturë duhet të dimë ta shesim, ta reklamojmë atë”, theksoi z. Mehmeti.

Duke vijuar arsyetimin e tij, z. Mehmeti tha se “në diplomacinë kulturore janë dy aspekte; dëshira për të shpalosur atë që të bën të ngjashëm me tjetrin ose ajo që të dallon nga tjetri. Kulturat inferiore zakonisht shpalosin atë që e bën të ngjashëm me tjetrin, për t’u dukur i njëjtë me të”. “Diplomacia kulturore në vetvete nuk është kaq inferiore dhe s’ka nevojë të jetë e tillë, por sërish duket që është ngapak e tillë. Pasi ne edhe kur dalim jashtë shtetit, ajo që më së shumti dëshirojmë është të ngjajmë me të tjerët dhe s’duam të jemi vetvetja. Kur shkojmë në Itali bëhemi më italianë se italianët, në Gjermani më gjermanë se vetë etj. Kjo ka shpjegimet e veta dhe mendoj se jemi një popull i vetmuar, gjuha e të cilit nuk ka gjuhë vëllazërore, vëllezër të gjakut, madje as kushërinj. Është paksa normale dhe prandaj shqiptarët janë më të përshtatshëm, mësojnë gjuhën dhe përnjeherësh bëhet edhe studentët më të mirë”, u shpreh z. Mehmeti.

Megjithatë sipas tij, pavarësisht aspekteve dhe sjelljeve inferiore që mund të shfaqi një individ, vjen një moment kur ai që do të tregohet si tjetri, në nëndijen e tij e ndien se turpërohet me diçka nga vetja e tij. Pavarësisht problematikave të shfaqura në gjeneratat e shkuara, apo dhe të tashmet, për shkak të rrethanave historike, z. Mehmeti nënvizoi faktin se gjenerata aktuale dhe ata të ardhshme nuk ka arsye pse të kenë turp për asgjë, pasi nuk ekziston asnjë ndryshim me pjesën tjetër. Në këndështrimin e tij, nuk ka arsye që gjeneratat e tjera të bëjnë diçka shtesë që të ngjajnë me të tjerët, pasi në të kundërt përpjekjet për t’u dukur siç duan t’i shohin të tjerët është pjesa më e vështirë. “Nuk jetohet me maskë, sepse ndoshta jo për shkak të të tjerëve, por për arsyet e tua në mbrëmje do e nxjerrësh që mos të të merret fryma. Ekziston dhe një rrezik tjetër. Nëse për një kohë të gjatë jeton me maskë, vjen një moment që dhe ti vetë harron se cila është fytyra jote dhe cila është maska. Sepse edhe ti duke u parë në pasqyrë çdo dy ore, fillon dhe të pëlqen maska dhe harron se cili je i vërteti. Andaj mjeshtëri mbi të gjitha mjeshtëritë është që të mundohesh të pëlqehesh nga të tjerët, por gjithmonë kur tjetri të të pranojë me fytyrën që ke dhe jo maskën”, u shpreh ai.

Ai gjithashtu vuri theksin dhe në faktin se shqiptarët kanë ‘fytyrë të mirë, si në kontekstin historik por edhe atë kulturor. Ndoshta kemi qenë të keqëinjtë e vetvetes, por asesi të tjetërkujt. Dhe kjo jo sepse kemi qenë popull i vetmuar”, vlerësoi ai. Duke u ndalur në aspekte që lidhen me të ardhmen e diplomacisë kulturore, z. Mehmeti tha se pikërisht gjenerata aktuale, zotëron tiparet e ‘fytyrës më të bukur të shqiptarisë”, mjaftueshëm e bukur që t’i bëjë të ndihen mirë. “Ju do të jeni ambasadorët e mrekullueshëm të shqiptarisë. Sepse ky është shekulli i shqiptarisë dhe ky do jetë shekulli i shqiptarisë. Mirëpo sa do të jetë i sukseshëm do të varet nga ambasadorë si ju”, u shpreh z. Mehmeti gjatë bashkëbisedimit, i cili më pas vijoi në formën e pyetje-përgjigjeve.

Contact

Media and Public Relations Office

pr@epoka.edu.al

+355 4 22 32 086

Share