arrow

news

Universiteti Epoka hap zyrtarisht vitin e ri akademik 2013-2014

October 22nd, 2013

Universiteti Epoka hap zyrtarisht vitin e ri akademik 2013-2014

Universiteti Epoka hap zyrtarisht vitin e ri akademik 2013-2014

Universiteti Epoka ka nisur zyrtarisht vitin e ri akademik 2013-2014, në një ceremoni të organizuar në sallën kryesore të konferencave në Godinën E të kompusit universitar. Të pranishëm në ceremoninë e zyrtare të nisjes së vitit të ri akademik 2013-2014, përveç përfaqësuesve të universiteteve publike dhe private dhe drejtuesve të universitetit Epoka, studentëve dhe stafit akademik, nderoi me pjesmarrjen e tij dhe Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj. Ceremoninë e hapjes së vitit të ri akademik e përshëndeti  dhe Presidenti i Studentëve z. Arbër Salihu, ku në fjalën e tij përshëndetëse ju uroi mirseardhjen të gjithë pjesëmarrësit dhe në veçanti studentëve të ri që iu bashkuan Universitetit Epoka këtë vit.

Rektori i Universitetit Epoka, Prof. Dr. Remzi Altın u uroi mirëseardhjen studentëve dhe stafit të ri akademik dhe uroi atyre suksese në vitin e ri akademik. Prof. Dr. Altın tha se universitetet përfaqësojnë një nga instrumentat më të rëndësishëm në zhvillimin e shoqërisë dhe universiteti Epoka është themeluar bazuar pikërisht në këto parime dhe synon  të jetë një faktor i rëndësishëm në sektorin e arsimit, kërkimit shkencor dhe të shërbimit ndaj shoqërisë. “Studentët tanë do të jenë produkti më i rëndësishëm i kësaj përpjekjeje. Bazuar në këto parime, Universiteti Epoka i ka vendosur studentët në qendër të aktiviteteve dhe objektivi ynë më i rëndësishëm strategjik është përgatitja e studentëve në mënyrën më të mirë të mundshme për të ardhmen dhe tregun e punës, në mënyrë që të jenë kontribuesit kryesor në shoqëri”, u shpreh Prof. Altın.

Duke u ndalur në arritjet e universitetit gjatë këtyre viteve, Prof. Altın tha se edhe pse relativisht i ri, Universiteti Epoka ia ka arritur të vlerësohet si një institucion, i cili siguron një cilësi të lartë të arsimit në Shqipëri, duke u renditur në vendet e para në klasifikime të ndryshme brenda dhe jashtë vendit në aspekte që lidhen me jo vetëm me sasinë, por dhe përsa i përket cilësisë së botimeve shkencore. “Duke pasur parasysh trendet globale dhe zhvillimet, do të vazhdojmë të fokusohemi edhe më shumë në aspektin e avancimit të mëtejshëm të “ndërkombëtarizimit” të universitetit tonë. Me kënaqësi mund të themi se numri i të diplomuarve në Universitetin Epoka, cilët kanë vazhduar studimet Master dhe ato të doktoraturës jashtë vendit, në shumicën e rasteve duke përfituar bursa studimit, është i madh dhe në rritje. Universiteti Epoka është gjithashtu në mesin e disa universiteteve, të cilët dërgojnë dhe mirëpresin studentë në kuadër të marrëveshjeve dypalëshe të bashkëpunimit të nënshkruara me universitetet e huaja”, u shpreh Prof. Altın.

Duke iu adresuar studentëve, ai vijoi më tej duke thënë se “detyra juaj më e rëndësishme është të jeni të vetëdijshëm për ndryshimet e shpejta që po pëson shoqëria, dhe të përgatisni veten si individë produktivë, të cilët posedojnë vlerat më të larta morale dhe etike si dhe të aftë për të konkuruar në një nivel ndërkombëtar”. “Detyra jonë si një institucion arsimor ndërkombëtar konsiston në zbulimin e çdo burimi të mundshëm dhe vënien e tij në dispozicionin tuaj. Detyra juaj në anën tjetër është që të përfitoni në maksimum nga shërbimet e ofruara dhe të përmbushni të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë ndaj shoqërisë”, përfundoi Prof. Dr. Altın.

Ndërsa Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, në fjalën e tij përshëndetëse vuri theksin në faktin se për ata studentë që ulen për herë të parë në auditorët e këtij universiteti, kjo ditë mbart një rëndësi të veçantë, si një stacion i rëndësishëm drejtë të ardhmes. “Për ata prej jush të cilët ulen për herë të parë në auditorët e këtij universitetit, kjo është dita juaj e parë në universitet.  Ju lutem sigurohuni që të mbani mend këtë ditë. Nuk e di se si dhe çfarë mund të bëni? Mbase mund të shkruani një shënim në ditarin tuaj, ose të shkruani në statusin tuaj në Facebook ose Twitter. Mbase mund të bëni një foto si kujtim. Por sigurohuni që të kujtoni këtë ditë, sepse kjo është një ditë e bukur, jo sepse jashtë është një ditë me diell, por sepse është një nga ato momentet e paharrueshme të jetës tuaj, një stacion i kalimit nga shkolla e mesme në një botë të re, me ambicie dhe pritshmëri të mëdha”, u shpreh z. Veliaj. Duke vlerësuar investimet e kryera deri më tani nga Universiteti Epoka, z. Veliaj tha se “nuk mund të mos shpreh kënaqësinë që Universiteti Epoka është partner kryesor me universitetet më në zë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës  dhe Mbretërinë e Bashkuar, apo në Turqi”. Sipas tij, kjo është një arritje e rëndësishme, e cila tregon se objektivat e vendosura nga universiteti dhe stafi drejtues janë të mëdha.

Duke iu uruar studentëve suksese, Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj kërkoi prej studentëve që të investojnë me përkushtim për të ardhmen e tyre. Ai gjithashtu shprehu vlerësimin e tij për kontributin dhe investimet e bëra. “Një nga arsyet që unë ndodhem sot këtu, është dhe detyrimi për të respektuar investimin më të rëndësishëm, investimin në njerëz. Ky është investim që unë personalisht dhe ne si qeveri besojmë se është më i rëndësishmi. Dua të shpreh falenderimin tim për rektorin e Universitetit Epoka dhe përfaqësuesit e universiteteve të tjera dhe të gjitha ata që kanë zgjedhur të investojnë në arsim. Faleminderit! Sepse investimi i në arsim, është investim që zgjat përgjithmonë”, u shpreh z. Veliaj.

Contact

Media and Public Relations Office

pr@epoka.edu.al

+355 4 22 32 086

Share