arrow

news

“Simfonia e Jetės 7”: Unė jam shpresė

March 7th, 2016

“Simfonia e Jetės 7”: Unė jam shpresė

“Simfonia e Jetės 7”: Unė jam shpresė

“Unë jam shpresë” ishte motoja e edicionit të 7-të të programit artistik “Simfonia e Jetës” organizuar të martën në mbrëmje nga Qendra Kulturore Horizontet e Reja në bashkëpunim me Kolegjet Turke dhe Universitetin Epoka. Koncerti i përvitshëm gala kushtuar figurës së gruas këtë vit mori një dimension tjetër duke u shndërruar në një nismë në ndihmë të grave pa mbështetje familjare të strehuara në Qendrën Kombëtare të Trajtimit të Viktimave të Dhunës në Familje.
Edicioni i shtatë i këtij programi i realizuar me mbështetjen e Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë bashkoi në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit figura të njohura të fushave të artit, medias, kulturës, politikës dhe biznesit. Nën moderimin e Valbona Selimllarit për rreth 1 orë e 15 minuta artistë të njohur si Aurela Gaçe, Alban Skënderaj, Marsela Çibukaj, Ana Kaçinari, Reshat Arbana e të tjerë interpretuan në skenën e TKOB pjesë të ndryshme artistike, si dhe përçuan mesazhe shprese për të pranishmit. 
Programi nisi me këngën e së madhes Whitney Houston “When you believe”, për t’u ndjekur nga pjesë korale nga Kori i Liceut Artistik Jordan Misja, pjesë instrumentale në piano dhe violinë, poezi nga aktori i mirënjohur Reshat Arbana, si dhe këngë të përzgjedhura nga repertori i këngëtarëve pjesëmarrës. 
Në kuadër të vlerësimit të kontributit të dhënë në shoqëri këtë vit organizatorët i akorduan çmimin “Trëndafili i Artë” zonjës Linda Spahiu për kontributin e dhënë në ruajtjen dhe restaurimin e trashëgimisë kulturore. Gjatë fjalës së saj zonja Spahiu shprehu shqetësimin në lidhje me kujdesin ndaj vlerave të trashëgimisë kutlurore si dhe vlerësoi punën e organizatorëve në këtë drejtim. Ndërsa ministrja Ermonela Felaj, e ftuar për të dorëzuar këtë çmim falenderoi zonjën Linda Spahiu për punën e saj dhe përgëzoi organizatorët për realizimin e programeve të tilla.
Ndërsa Klubit Shpresa të Kolegjit Turgut Ozal dhe Klubeve Studentore të Universitetit Epoka iu dorëzua çmimi special i këtij edicioni “Unë jam shpresë” për ndihmën e dhënë ndaj komuniteteve në nevojë dhe pjesëmarrjen në nisma sociale. Të ftuar për të dorëzuar çmimin nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Andi Seferi dhe ministri Blendi Klosi vlerësuan punën e të rinjve të këtyre institucioneve arsimore si një garanci për të ardhmen.
Ky koncert shërbeu njëherazi si një thirrje kundra dhunës së çdo forme duke i ftuar njerëzit të bëhen shpresë për njëri-tjetrin. Nisma “unë jam shpresë” do të vijojë më tej deri në përmbushjen e objektivave të përcaktuara. Ndërsa marsit në Horizontet e Reja do t’i shtohet edhe një aktivitet tjetër kushtuar gruas. Në datat 21-31 mars kjo qendër kulturore do të çelë një ekspozitë me fotografi të grave shqiptare ndër vite në ambientet e qendrës TEN në rrugën “Myslym Shyri”.

Contact

Media and Public Relations Office

pr@epoka.edu.al

+355 4 22 32 086

Share