arrow

news

Seminari i kontaktit midis Universiteteve tė Suedisė dhe atyre tė Ballkanit Perėndimor

October 10th, 2013

Seminari i kontaktit midis Universiteteve tė Suedisė dhe atyre tė Ballkanit Perėndimor

Seminari i kontaktit midis Universiteteve tė Suedisė dhe atyre tė Ballkanit Perėndimor

Një grup akademikësh si dhe përfaqësues të Zyrës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare  dhe Zyrës së Projekteve të Universitetit “Epoka” morën pjesë në “Seminarin e kontaktit midis universiteteve të Suedisë dhe atyre të Ballkanit Perëndimor”, i cili u zhvillua më datën 10 tetor 2013, në ambjentet e Universitetit të Tiranës.

Seminari kishte për qëllim rritjen e bashkëpunimit ndërmjet  programeve të arsimit të lartë në kuadër të programit të ardhshëm të BE-së i konceptuar mbi programet aktuale  Erasmus Mundus dhe Tempus si dhe programit Linnaeus Palme, financuar nga qeveria suedeze. Qëllimi i seminarit ishte të lehtësojë krijimin e kontakteve të reja ndërmjet institucioneve suedeze të arsimit të lartë dhe institucioneve në Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që të krijojnë partneritete dhe projekte të reja së bashku, në kuadër të programeve të sipërpërmendura. Seminari adresoi akademikët dhe stafin administrativ drejt institucioneve suedeze të arsimit të lartë me qëllim rritjen e bashkëpunimit me institucionet në Shqipëri, Kosovë dhe vende të tjera në rajon.

Gjatë seminarit, përfaqësues të Këshillit Suedez të Arsimit të Lartë, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë si dhe të Zyrës Kombëtare “Tempus” në Kosovë dhanë informacion mbi sistemin e arsimit të lartë në vendet e tyre përkatëse.

Seminari vazhdoi me prezantimin e Erasmus+ nga Zj.Rebecka Herdevall, Koordinatore e Programit në Këshillin Suedez të Arsimit të Lartë. Erasmus + është një program i ri i BE-së për Arsimin, Trajnimin, Rininë dhe Sportin. Ai kombinon së bashku shtatë programe të periudhës nga viti 2007-2013, të emërtuara si Programi i të mësuarit gjatë gjithë jetës, Programi i Rinisë aktive si dhe pesë programe të bashkëpunimit ndërkombëtar. Një shembull i marrëveshjes ndërinstitucionale ndërmjet programit dhe vendeve partnere (si Shqipëria) do të botohet së shpejti. Shembulli është parashikuar për periudhën nga viti akademik 2014-2015 deri në vitin akademik 2020-2021.

Në të njëjtën kohë, Zj.Anneli Lindberg nga Këshilli Suedez i Arsimit të Lartë, prezantoi programin Linnaeus-Palme, një program shkëmbimi suedez, i prezantuar në muajin Maj të vitit 2000, për lektorët dhe studentët në nivelet e studimeve Bachelor dhe Master të arsimit të lartë, që synon forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve të arsimit të lartë në Suedi dhe vendet në zhvillim dhe në këtë mënyrë rritjen e kontakteve globale në fushën e arsimit të lartë.

Zj. Rita Wikander nga Instituti Suedez prezantoi mundësitë e bursave për Evropën Lindore për studime të nivelit master në Suedi. Çdo vit do të jepen rreth dhjetë bursa për studime në Suedi. Bursa mbulon shpenzimet e jetesës si dhe tarifat e shkollimit.

Seanca e fundit e seminarit konsistoi në realizimin e takimeve multilaterale për krijimin e rrjeteve midis pjesëmarrësve, bazuar në interesat e tyre.

Contact

Media and Public Relations Office

pr@epoka.edu.al

+355 4 22 32 086

Share