arrow

news

Prof. Dr. Remzi Altın: Universitetet shqiptare kanė nevojė pėr njė ndryshim themelor tė metodave tė mėsimdhėnies

April 19th, 2013

Prof. Dr. Remzi Altın: Universitetet shqiptare kanė nevojė pėr njė ndryshim themelor tė metodave tė mėsimdhėnies

Prof. Dr. Remzi Altın: Universitetet shqiptare kanė nevojė pėr njė ndryshim themelor tė metodave tė mėsimdhėnies

Rektori i Universitetit Epoka, Prof. Dr. Remzi Altın në një intervistë për Eagle Mag analizon sistemin e arsimit të lartë në Shqipëri dhe shprehet se sfida e universiteteve publike dhe private është e lidhur ngusht me ndryshimet drastike në mjedisin e punës dhe kërkesat që tregu i punës ka ndaj të diplomuarve. Ai thotë se një pjesë e mirë e universiteteve private në Shqipëri, krahasuar me ato publike, ofrojnë një infrastrukturë më të mirë fizike, teknologjike dhe mësimdhënieje. Megjithatë Prof. Dr. Altın vë theksin në faksin se universitet publike dhe private duhet t’i përgjigjen menjëherë ndryshimeve duke rifreskuar kurrikulën e tyre dhe metodat e mësimdhënies në mënyrë që të jenë në gjendje të rrisin numrin e të diplomuarve që zotërojnë një mënyrë të menduari kritike dhe që janë të aftë të zgjidhin problematikat si dhe të zotërojnë aftësitë për të punuar në grup. Kjo sipas tij është një kërkesë e lartë e tregut modern të punës. “Është bindja ime e thellë se sfidat me të cilat përballet sistemi arsimit të lartë në Shqipëri janë të lidhura direkt me nivelin e zhvillimit social-ekonomik të vendit dhe rrugën e tij drejt anëtarësimit të plotë të mundshëm në Bashkimin Europian”, shprehet Prof. Dr. Remzi Altın. Në vijim të idesë së tij, ai thotë se një nga sfidat më të rëndësishme është dhe “nevoja për një ndryshim themelor në metodat e mësimdhënies, nga një proces i fokusuar në transferimin dhe përsëritjen e fakteve në një metodë mësimdhënieje interaktive e cila mundëson përdorimin e teknologjisë moderne dhe stimulon diskutimet dhe të menduarit kritik në mesin e studentëve”.

Çfarë avantazhesh ka arsimi i lartë privat në Shqipëri dhe cilat janë veçoritë që e bëjnë atë të dallueshëm nga ai publik?
Para së gjithash duhet nënvizuar fakti se të gjitha universitetet, publike ose private, ofrojnë një të mirë publike siç është ofrimi i arsimit të lartë. Në këtë kontekst, më shumë se statusi i universiteteve, produkti i tyre në aspektin e cilësisë dhe punësimit të të diplomuarve të tyre, cilësisë së kërkimit shkencor, si dhe nivelit të kontributit të tyre në zhvillimin kombëtar, përbëjnë faktorët që diferencojnë universitetet nga njëri-tjetri.

Më shumë se sa fokusimi në një dikotomi universitete publike apo private, e cila në këndvështrimin tim nuk është realiste, besoj se universitetet shqiptare duhet të vlerësohen individualisht duke matur nivelin e arritjes së objektivave të tyre, të  përmendura më sipër. Gjithashtu duhet theksuar fakti se universitetet publike dhe ato private përfaqësojë një mjedis heterogjen në Shqipëri. Cilësia e të gjithë universiteteve publike nuk është e njëjtë dhe në mënyrë të ngjashme, në vend ekzistojnë disa universitete private të mira dhe të akredituara, siç dhe ekzistojnë institucione të tjera private të arsimit të lartë jo të akredituara.

Përtej kësaj, do të doja të nënvizoja faktin se një pjesë e mirë e universiteteve private në Shqipëri, krahasuar me ato publike, ofrojnë një infrastrukturë më të mirë fizike, teknologjike dhe mësimdhënieje. Në të njëjtën kohë, raporti student/pedagog në universitetet private është më i ulët, çka e bën më të lehtë për ta që të përqëndrohen më shumë tek studentët. Menaxhimi dhe funksionimi  i tyre është gjithashtu më fleksibël dhe më  i orientuar drejt zgjidhjeve.

Jetojmë në një botë që ndryshon me shpejtësi dhe ky ndryshim ushqehet nga globalizimi dhe përparime të mëdha të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, të cilat kanë ndryshuar në mënyrë drastike mjedisin e punës dhe kërkesat që ky mjedis ka ndaj të diplomuarve para hyrjes së tyre në tregun e punës. Në këtë kontekst, të dy kategoritë e universiteteve, publike dhe ato private duhet menjëherë t'i përgjigjen këtyre ndryshimeve, duke e rifreskuar kurrikulën e tyre dhe metodat e mësimdhënies, në mënyrë që të jenë në gjendje të rrisin numrin e të diplomuarve që zotërojnë një mënyrë të menduari kritik, të aftë të zgjidhin problemet si dhe me aftësi për të punuar në grup,  cilësi këto mjaft të kërkuara në tregun modern të punës. Duke pasur parasysh menaxhimin e tyre në mënyrë me fleksibël, besoj se universitetet private gjenden në  një pozicion më të favorizuar për t’i dhënë përgjigje të menjëhereshme kërkesave të tilla.

Shqipëria është një vend arsimdashës e që punon vazhdimisht për t’u përmirësuar në këtë drejtim, duke u përballur sigurisht edhe me sfida të ndryshme. Nga eksperienca juaj z. Altin, cilat janë sfidat më të mëdha të arsimit të lartë shqiptar sot, qoftë atij publik apo privat?Është bindja ime e thellë se sfidat me të cilat përballet sistemi i arsimit të lartë në Shqipëri janë të lidhura direkt me nivelin e zhvillimit social-ekonomik të vendit dhe rrugën e tij drejt anëtarësimit të plotë të mundshëm në Bashkimin Europian. Shqipëria ia ka arritur në një masë të madhe të liberalizojë  qasjen  në arsimin e lartë, por duhet bërë ende më shumë për të garantuar cilësinë në universitete. Kjo kërkon edhe kanalizimin e investimeve të mëdha dhe të burimeve financiare të autoriteteve publike drejt arsimit të lartë, si dhe funksionimin e mekanizmave të fortë të vlerësimit të jashtëm dhe akreditimit. Megjithatë, kultura e "cilësisë" duhet të pranohet  dhe të përvetësohet nga vetë universitetet, në mënyrë që sigurimi dhe përmirësimi i cilësisë të bëhet një proces më i shëndetshëm dhe më i qëndrueshëm.

Një tjetër sfidë e rëndësishme me të cilat përballen universitetet shqiptare, është nevoja për një ndryshim themelor në metodat e mësimdhënies, nga një proces i fokusuar në transferimin dhe përsëritje e fakteve, drejt një metode mësimdhënieje ndërvepruese, e cila mundëson përdorimin e teknologjive moderne dhe stimulon diskutimte dhe të menduarit kritik në mesin e studentëve. Kjo nuk është një detyrë e lehtë, megjithatë përbën një domosdoshmëri, duke pasur parasysh ndryshimet e shpejta në mjedisin e punës dhe teknologjitë të përmendura më sipër.

Duhet të jetë e qartë për të gjithë ne se Shqipëria do të mund jetë një vend anëtar i Bashkimit Europian, duke pasur  një kapital njerëzor në gjendje për të konkuruar me atë të vendeve të tjera europiane. Universitetet shqiptare  në të vertetë duhet të sigurojnë përgatitjen e të tilla kapitaleve njerëzore si dhe përmirësimin e vazhdueshëm të tyre në përputhje me zhvillimet globale.

Si e shihni ju mundësinë e punësimit në tregun shqiptar për studentët e diplomuar jashtë vendit dhe brenda tij, në universitete private ose publike? Është e vërtetë që një diplomë e huaj vlen më shumë në tregun shqiptar të punës se sa një diplomë e marrë nga një universitet vendas? Cilat janë kriteret e një diplome me “vlerë” në Shqipëri?Shqipëria ka një popullsi të re në moshë dhe një numër në rritje të shpejtë të studentëve dhe të të diplomuarve, të cilat me siguri do të rrisin sfidat me të cilat ballafaqohen të diplomuarit për t'u punësuar në përputhje me arsimimin dhe kualifikimet e tyre.

Duhet theksuar se përveç  historisë së vonë  të Shqipërisë, si një vend i izoluar deri në fillim të viteve 1990, perceptimi publik që diplomat e huaja a priori janë më të vlefshme se ato vendase, është  ushqyer nga të metat e universiteteve shqiptare në lidhje me sigurimin e cilësisë dhe përmirësimin e saj. Megjithatë, unë besoj se ekzistojnë disa universitete në Shqipëri, të cilët ofrojnë një arsim në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare dhe kjo është vërtetuar jo vetëm nga një numër i konsiderueshëm i studentëve, të cilët kanë vijuar studimet e tyre të mëtejshme në vendet evropiane, por që kanë patur edhe mundësi për t'u punësuar në ato vende.

Nëse një student është diplomuar nga një universitet i njohur për cilësinë e mësimdhënies dhe kërkimit, qoftë në Shqipëri ose jashtë vendit, posedon aftësitë e kërkuara nga tregu modern i punës dhe ka studiuar në një fushë që përputhet me nevojat e ekonomisë shqiptare, atëherë me siguri mund të themi se studenti ka një diplomë të vlefshme. Gjithashtu nuk duhet të harrohet fakti se Shqipëria aspiron të bëhet anëtare e Bashkimit Europian dhe me anëtarësimin e ardhshëm të saj në Bashkimin Europian të diplomuarit shqiptarë do të kenë mundësi më të mëdha punësimi jo vetëm në Shqipëri, por edhe në tregun e brendshëm të Bashkimit Europian.

EagleMag, Prill 2013

Contact

Media and Public Relations Office

pr@epoka.edu.al

+355 4 22 32 086

Share