arrow

news

Pėrfaqėsuesit e Universitetit Epoka pjesėmarrės nė Takimin e Dytė Kėshillimor mbi Projekt-Strategjinė e Arsimit tė Lartė (2014-2020)

March 9th, 2013

Rektori i Universitetit Epoka, Prof. Dr. Remzi Altın, shoqëruar nga Dekani i Fakultetit të Shkencave Ekonomike dhe Administrative, Prof. Dr. Güngör Turan dhe Përgjegjësi i Kabinetit të Rektorit, z. Niuton Mulleti, morën pjesë në Takimin e Dytë Këshillimor mbi Projekt-Strategjinë e Arsimit të Lartë (2014-2020), i cili u zhvillua më 8 mars 2013 në mjediset e Tirana International Hotel me një pjesëmarrje të gjerë nga pothuajse të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit të lartë (IAL) në vend.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Myqerem Tafaj, mbajti fjalën e hapjes duke u përqendruar në shtjellimin e elementeve më të rëndësishme të katër përparësive strategjike të Projekt-Strategjisë së Arsimit të Lartë (2014-2020), i cili përbën një dokument kyç në lidhje me zhvillimin e sistemit të arsimit të lartë shqiptar gjatë viteve në vijim. Këto përparësi janë si më poshtë:

1. Përmirësimi i cilësisë dhe orientimi i studimeve universitare drejt nevojave të tregut të punës;
2. Specializimi dhe diferencimi i IAL-ve në përputhje me nevojat e zhvillimit ekonomik të vendit;
3. Optimizimi i burimeve financiare të investuara në sistemin e arsimit të lartë në nivel kombëtar;
4. Konsolidimi i menaxhimit të sistemit të arsimit të lartë duke gërshetuar autonominë dhe llogaridhënien me qeverisjen e mirë.

Z Quentin Thompson, një specialist i njohur ndërkombëtarisht mbi strategjinë, politikat dhe menaxhimin e arsimit të lartë që ka shërbyer edhe si këshilltar i jashtëm për përgatitjen e Projekt-Strategjisë, ndau me të pranishmit pikëpamjet e tij në lidhje me sfidat me të cilat përballen universitetet gjatë ditëve të sotme. Në prezantimin e tij, z. Thompson theksoi rëndësinë e përgatitjes së studentëve të aftë për t’i bërë ballë kërkesave të tregut të punës në një mjedis të shekullit të 21-të në ndryshim të vazhdueshëm. Ai u shpreh se universitetet duhet të synojnë të përgatisin të diplomuar me aftësi të mira të mendimit kritik, zgjidhjes së problemeve dhe punës në grup. Ky është një proces i vështirë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për pothuajse çdo vend tjetër në botë, pasi kërkon një ndryshim në metodat dhe stilin e mësimdhënies, duke kaluar nga përqendrimi në transferimin e fakteve në një proces ndërveprues të mësimdhënies ku studentët janë të përfshirë aktivisht. Në përfundim të prezantimit të tij, z. Thompson nënvizoi edhe rëndësinë që universitetet duhet t’i kushtojnë “misionit të tretë”: kontributit në zhvillimin ekonomik të vendit dhe rajonit.

Takimi vijoi me një shkëmbim të frytshëm të pikëpamjeve dhe opinioneve ndërmjet Ministrit, z. Thompson dhe përfaqësuesve të Universiteteve rreth elementeve thelbësore të Projekt-Strategjisë.

Contact

Media and Public Relations Office

pr@epoka.edu.al

+355 4 22 32 086

Share