arrow

news

Panairi i Dytė i Karrierės, njė organizim i suksesshėm i Universiteti Epoka

April 22nd, 2015

Panairi i Dytė i Karrierės, njė organizim i suksesshėm i Universiteti Epoka

Panairi i Dytė i Karrierės, njė organizim i suksesshėm i Universiteti Epoka

Universiteti Epoka më 21 prill 2015 organizoi Panairin e Dytë të Karrierës, një aktivitet i cili synonte t’u ofronte mundësi punësimi studentëve të vitit të fundit, duke i orientuar dhe mbështetur në hapat e parë të një karriere të suksesshme. Mbi 50 kompani, nga Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit, morën pjesë në këtë panair. Studentë, kryesisht të vitit të fundit në 11 programe të ndryshme akademike të ofruara nga Universiteti Epoka, patën mundësi të zhvillojnë intervista pune me përfaqësues të Burimeve Njerëzore të këtyre kompanive, ndërsa studentët e viteve të tjera patën rastin të njihen me mundësitë për punësim që këto kompani ofrojnë, kërkesat e tregut të punë si dhe mundësitë e zhvillimit të praktikës (stazhit). 
Në fjalën e tij përshëndetëse në ceremoninë e hapjes së Panairit të Karrierës, Sekretari i Përgjithshëm i Universitetit Epoka, Z. Ismail Aşan ndërsa falenderoi mbështetësit dhe kompanitë pjesëmarrëse në këtë panair, u shpreh se organizimi i Panairit të Dytë të Karrierës ofron mundësi të shumta për të dyja palët si për studentët ashtu dhe për kompanitë pjesmarrëse. Sipas tij, ky panair u mundëson punëdhënësve të kërkojnë punonjës të mirëarsimuar, studentëve të eksplorojnë tregun dhe të arrijnë të kuptojnë më mirë mundësitë për punësim dhe kërkesat e tregut të punës dhe në mënyrë të veçantë studentëve që do të diplomohen u krijon mundësi për të nënshkruar një kontratë punë me njërën prej kompanive pjesmarrëse. "Ne në Universitetin Epoka jemi krenarë për arritjet e gjeneratave të para të të diplomuarve tanë. Mbi 90 % e të diplomuarve tanë aktualisht janë të punësuar ose vazhdojnë studimet Master dhe ato të doktoraturës (PhD) në Shqipëri dhe jashtë vendit . Por në të njëjtën kohë, ne jemi të vetëdijshëm për sfidat me të cilat përballen të diplomuarit tanë në tregun lokal të punës, por edhe më gjerë. Është shumë e rëndësishme që studentët tanë të fitojnë njohuri praktike, të cilat mund t’i zbatojnë lehtësisht, si dhe të përmirësojnë akoma më shumë aftësitë e tyre të komunikimit, punës në grup dhe aftësitë e të menduarit kritik. Besojmë dhe jemi të bindur që këto aftësi janë të rëndësishme për një karrierë të suksesshme”, u shpreh Z. Aşan.
Sipas Z. Aşan misioni kryesor i universiteteve është edukimi dhe përgatitja e studentëve me njohuritë maksimale, duke u mundësuar atyre aftësi të nevojshme për tregun e punës dhe të sigurojnë që studentët gjatë periudhës së tyre të studimeve të fitojnë njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për vendin e punës, duke u siguruar atyre mundësi për kontakte me tregun e punës. "Për këtë arsye ne këtë vit për të dytin vit radhazi organizojmë Panairin e Karrierës, një aktivitet i hapur për të gjithë studentët tanë aktualë dhe të diplomuar", u shpreh Z. Aşan.
Në fjalën e tij, Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Z. Erion Veliaj, theksoi faktin se, kapaciteti i dikujt për të bërë dicka, ka shumë më tepër rëndësi sesa mbiemri i familjes. “Unë jam shumë i lumtur që panaire si ky, ilustrojnë se pse ne shkojmë në shkollë, pse studiojmë dhe pse punojmë. Dhe unë mendoj që ne morëm një vendim shumë të rëndësishëm por të vështirë në dy vitet e fundit. Unë e di se kolegët e mi në Ministrinë e Arsimit morën vendimin për mbylljen e disa universiteteve. Ishte e dhimbshme, sepse prekte njerëz, jetët si dhe investimet e tyre. Por unë mendoj se kemi bërë zgjedhjen e duhur, e vështirë por një zgjedhje e drejtë. Dhe unë mendoj se universitetet që mbeten, duke përfshirë Epokën edhe disa të tjerë, janë ata që mund të ruajnë standardin e cilësisë, të mbështesin një diplomë që të ketë vlerë në treg.”, tha Z. Veliaj. Ai gjithashtu vuri në dukje se prania e shumë kompanive në Panairin e Karrierës i atribuohet vlerës dhe edukimit që studentët fitojnë tek Epoka, gjithashtu Z. Veliaj falenderoi Universitetin  Epoka për ftesën, dhe theksoi se sa krenar ishte që kishte shumë studentë të Epokës jo vetëm në stafin e tij si Ministër, por edhe në fushatën e tij për kryetarin e ardhshëm të Bashkisë së Tiranës. “Unë jam dëshmitari i parë i cilësisë së studentëve që ju keni në këtë universitet, kështu që ju përcjell nderimet më të mira”, përfundoi fjalën e tij ministri Veliaj.
Kryetari i Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë Z. Nikolin JAKA, theksoi rëndësinë e një arsimi të duhur dhe kualifikimin ndaj sipërmarrjes. “Është shumë e rëndësishme për ne që ju të jeni të orientuar drejt sipërmarrjes private, dhe shumë e rëndësishme që ju t’u jepni rezultate dhe produkte atyre. Sot në formulën e ekonomisë globale, kapitali human përbën 85% të suksesit të një sipërmarrje private. Dhe kjo është një ndër përgjegjësitë më të mëdhaja që ju sot keni përpara vetes”, vuri në dukje Z. Jaka
Drejtori i Burimeve Njerëzore i Deloitte Albania and Kosova, Z. Roden Pajaj, falenderoi Epokën për organizimin e këtij aktiviteti. Ai theksoi faktin se bashkëpunimi midis Universitetit Epoka dhe Deloitte ka evoluar në këto tetë muajt e fundit duke u kthyer në një partneritet të vërtetë. Deri më tani ne kemi punësuar tre sapo të diplomuar nga ky universitet në tetë muajt e fundit, kemi testuar 29 studentë dhe pesë prej tyre janë në kandidatë potencial  për tu bërë pjesë e stafit të Deloitte.
Z. Samer El Sheikh, Drejtori i Përgjithshëm  i Grupit  HRC në Abu Dabi, pasoi me fjalën e tij. Ai ishte shumë entuziast për të rinjtë shqiptarë dhe aftësitë e tyre në profesione të ndryshme. Ai shprehu gadishmërinë për të bashkëpunuar me Universitetin Epoka në punësimin e më shumë se 40 inxhinierëve, 50 inspektorëve, si dhe në fusha të tjera, për të punuar në kompanitë më të mëdha të ndërtimit në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katar, me të cilat ata kanë nënshkruar kontrata bashkëpunimi kohët e fundit.
Sekretari i Përgjithshëm i Universitetit Epoka, Z. Ismail AŞAN, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Z. Erion Veliaj, Kryetari i Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë dhe pjesëmarrësit e tjerë në Panairin e Karrierës pas ceremonisë së çeljes vizituan gjithashtu kompanitë pjesmarrëse në këtë panair, ku diskutuan me ta rreth mundësive që ata ofrojnë për praktikë dhe punësim për studentët e vitit të fundit. Ata gjithashtu zhvilluan biseda të ngrohta dhe me studentët pjesmarrës në këtë panair.
Panairi i Karrierës vjen si kurorëzim i punës dhe strategjisë së Zyrës së Karrierës në Universitetin Epoka, e cila ka në qendër të vëmendjes studentët, orientimin dhe gjetjen e mundësive për të gjetur një punë të mirë në profilin e tyre. Panairi i Karrierës gjithashtu është dhe një kurorëzim i një diologu të vazhdueshëm dhe të suksesshëm të universitetit me biznesin vendas dhe të huaj.
 

Contact

Media and Public Relations Office

pr@epoka.edu.al

+355 4 22 32 086

Share