arrow

news

Diplomohet brezi i tretė i studentėve nė programet Bachelor dhe Master

June 21st, 2013

Në një ceremoni madhështore Universiteti Epoka më 20 Qershor 2013 diplomoi brezin e tretë të studentëve në programet Bachelor dhe Master. Në këtë ceremoni, rreth 250 studentë nga 11 programet akademike të ofruara në dy fakultete, atë të Shkencave Ekonomike dhe Administrative si dhe Fakultetin e Arkitekturës dhe Inxhinierisë, përmbyllën me sukses ciklet e studimeve respektive. Të pranishëm në këtë ceremoni, ishin prindër, familjarë, akademikë dhe studentë, rektorë të universiteteve publike dhe private nga Shqipëria, rajoni dhe më gjerë si dhe të ftuar të shumtë.

Ceremonia e diplomimit të studentëve u hap me Himnin Kombëtar të Shqipërisë dhe më pas vijoi me fjalën përshëndetëse të Rektorit të Universitetit Epoka, Prof.Dr.Remzi ALTIN, i cili ndërsa falenderoi të pranishmit për praninë e tyre në këtë ceremoni të veçantë jo vetëm për studentët, por dhe për drejtuesit dhe akademikët, u uroi të sapodiplomuarve suksese në jetë dhe në profesion.

Duke iu drejtuar studentëve, Prof. Dr. Remzi Altin i ftoi ata që të mos shkëpusin lidhjet me universitetin dhe të vazhdojnë të jenë pjesë e Universitetit Epoka, jo si studentë por si kontribuues me dijen dhe njohuritë e tyre për një sukses të mëtejshëm të tij. “Dera e Universitetit Epoka do të jetë përherë e hapur për të gjithë të diplomuarit tanë. Mirëpresim dhe vlerësojmë çdo kontribut akademik, dhe jo vetëm, të gjithsecilit prej studentëve të sapodiplomuar apo dhe të diplomuarve të mëparshëm”, u shpreh ai. Në vijim të fjalës së tij, ai tha se për Universitetin Epoka, një nga pikat kryesore të strategjisë dhe programeve është nxitja dhe mbështetja e studentëve, që të jenë pjesëmarrës në forume dhe konferenca ndërkombëtare studentore më në zë të organizuara nga universitetet më të mira ndërkombëtare. “Pikërisht kjo strategji ka bërë që puna dhe përgatitja e studentëve tanë të vlerësohet nga universitetet ndërkombëtare më në zë”, u shpreh Prof. Dr. Altin.

Në vijim të fjalës së tij, Prof.Dr.Altin nënvizoi se Universiteti Epoka që në krye është ideuar dhe funksionon si një universitet me karakter ndërkombëtar dhe tashmë rreth 7 vite pas hapjes së tij ia ka arritur të zgjerojë bashkëpunimin me institucionet më prestigjioze të arsimit të lartë në Europë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më gjerë. “Programet akademike të Universitetit Epoka janë një ndërthurje mes modeleve arsimore amerikane dhe sistemit të Bolonjës, në mënyrë që të jetë lehtësisht i integruar me sistemet arsimore të vendeve të ndryshme të botës. Ndonëse një universitetit i ri, Universiteti Epoka në një kohë të shkurtër ka dhënë një sere kontributesh përmes organizimit të konferencave shkencore në fusha të ndryshme dhe ka arritur që të mbledhë së bashku qindra akademikë nga dhjetëra vende të ndryshme të botës”, u shpreh ai. Në fund të fjalës së tij përshëndetëse, ai falenderoi të gjithë akademikët për kontributin, punën dhe përkushtimin e tyre ndaj studentëve. “Falenderoj përzemërsisht të gjithë prindërit, të cilët i kanë besuar fëmijët e tyre institucionit tonë. Janë pikërisht ata motivimi më i rëndësishëm për ne”, përfundoi fjalën e tij Prof.Dr.Remzi Altin.

Ceremoninë e kanë përshëndetur dhe prindër të studentëve të brezit të tretë, z.Ligor Nikolla, z.Mevlud Albayrak, z.Agim Berisha etj. Në fjalën e tyre ata falenderuan drejtuesit dhe akademikët për kontributin dhe përkushtimin e tyre në përgatitjen e brezave, duke vënë theksin në faktin se në një kohë të shkurtër Universiteti Epoka ka arritur të krijojë një reputacion të madh jo vetëm në Shqipëri dhe rajon,por dhe më gjerë. Sipas tyre, studentët e Universitetit Epoka nuk kanë asgjë më pak krahasuar me të diplomuarit në universitetet më kryesore të botës dhe tashmë e kanë të garantuar suksesin në tregun e punësimit vendas dhe atë të huaj.

Ceremonia vijoi më tej me ndarjen e çmimeve për studentët me rezultatet më të mira për të gjitha vitet e studimit, znj. Livia Nikolla, z.Briland Hitaj dhe znj.Erisa Terolli si dhe studentët më të mirë në të gjitha programet studimore të ofruara nga Universiteti Epoka. Për studentët më të mirë u shpërndanë certifikatat dhe paketat e vlerësimit, ndërsa më pas u vijuar më betimin e sapodiplomuarve dhe ndarjen e diplomave për secilin prej tyre. Në fund të ceremonisë, studentët, familjarët, të ftuarit dhe miqtë e shumtë të pranishëm në këtë ceremoni ndanë sëbashku moment të gëzuara në një koktail të organizuar me këtë rast.

Universiteti Epoka është themeluar në vitin 2007 dhe zotërohet nga institucioni arsimor “Turgut Ozal”, zotërues i rrjetit të shkollave të arsimit parauniversitar shumë të vlerësuar në Shqipëri që nga viti 1992. Universiteti Epoka është një ndër universitetet private kërkimore më të mira në Shqipëri dhe ndërkohë, synon të jetë një ndër universitetet më të mirë në rajon.
 

Contact

Media and Public Relations Office

pr@epoka.edu.al

+355 4 22 32 086

Share